Gjatë rrugëtimit tim, kam marrë pjesë në shumë trajnime të ndryshme qysh në moshën e hershme, të cilët më kanë ndihmuar në formësimin tim personal dhe profesional. Mirëpo për herë të parë në moshën 33 vjeçare kam marrë pjesë në një trajnim të natyrës së tillë. Me plot siguri mund të them se trajnimi Hyrje në Ndërtimin e Paqes ka qenë trajnimi më i mirë që kam marrë pjesë ndonjëherë. Ky trajnim më ka ndihmuar që të njoh/kuptoj më shumë vetën dhe njerëzit rreth meje.
Ky trajnim më ka ndihmuar që të shoh më gjerë, përmes së cilit kam kuptuar anët pozitive si dhe mangësitë që kam unë dhe shoqëria jonë në përgjithësi. Edhe pse për nga natyra jam njeri paqësor, me anë të këtij trajnimi kam kuptuar më shumë për paragjykimet që kam, të cilat mendoja se nuk i kisha.
Temat lidhur me dhunën, konfliktin, diskriminimin, rolin gjinor, diversitetin, ndërtimin e paqes, ballafaqimin me të kaluarën, si dhe shumë tema të tjera që ndërlidhën me rolin tonë në shoqëri, gjatë trajnimit janë shtjelluar me shumë kujdes dhe profesionalizëm. Ndërsa temat e trajtuara përmes lojërave, në njërën anë kanë mundësuar socializimin në mes pjesëmarrësve pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare, etj. e në anën tjetër përmes roleve të përcaktuara ka mundësuar që secili nga ne të krijojmë empati dhe të kuptojmë më mirë njëri-tjetrin, duke thyer paragjykimet që kemi qofte edhe pa vetëdijen tonë.
Diverziteti i pjesëmarrësve ka bërë që trajnimi të jetë tejet atraktiv. Përkundër asaj që isha e vetmja nga komuniteti turk – kosovar, ambienti i krijuar më ka bërë të ndihem komod, të shprehi mendimet e mia lirshëm me trajnerët dhe pjesëmarrësit e tjerë – të cilët ishin njerëz të mrekullueshëm.
Shfrytëzoj rastin që të falënderoj gjithë ekipin për përkushtimin, vullnetin, durimin dhe punën e palodhshme që kanë pasur gjatë 10 ditëve të trajnimit, njëkohësisht uroj suksese të mëtutjeshme në projektet e tyre të radhës, në të cilat me shumë dëshirë do të merrja pjesë edhe shumë herë :).
Rekomandoj që të përfshihen edhe komunitetet tjera pakicë – të marxhinalizuara, në mënyrë që ketë gjithpërfshirje.